Trevat Shqiptare

Në këtë libër trajtohet gjeografia dhe historia e trevave shqiptare në tërësi dhe gjeografia e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Republikën e Greqisë, Republikën e Serbisë dhe Republikën e Malit të Zi. Veçoritë fiziko–gjeografike, vendbanimet, zhvillimet demografike dhe ekonomia janë trajtuar krahas trashëgimisë natyrore dhe kulturore të këtyre trevave.

Libri është i pasur me të dhëna statistikore të marra nga INSTAT i Shqipërisë dhe Kosovës. Të dhënat e paraqitura janë zyrtare dhe i përkasin regjistrimeve të fundit. Të dhënat e tjera janë të përllogaritura ose të marra nga qarqet ose rrethet. Në libër gjenden 35 faqe me harta (25), imazhe, foto dhe në fund jepet një fjalorth shpjegues për termat teknike dhe shkencore të përdorura.

Leximi i këtij libri do të jetë si një udhëtim ku do të zbuloni male të larta, lugina të thella, brigje të përthyera, liqene mahnitës, lumenj të rrëmbyer dhe një botë bimore e shtazore shumë të pasur. Vendbanimet e lashta, qytetet antike, kalatë, fortesat dhe banesat do të dëshmojnë praninë e stileve të ndryshme arkitektonike (ilire, helene, romake, bizantine, osmane dhe moderne).

Këto pasuri natyrore dhe kulturore përbëjnë një bazë të fuqishme për zhvillimin ekonomik të këtyre trevave. Por historia e komplikuar e fatit të trevave shqiptare ka bërë që këto treva të jenë të coptuara politikisht në gjashtë shtete dhe të kenë zhvillim ekonomik të ndryshëm. Megjithatë, ndonëse të copëtuara politikisht, trevat shqiptare janë të njësuara në drejtim të etnogjenezës, gjuhës, traditave dhe kulturës së tyre.

Duke i njohur do të kuptoni se si këto treva janë vërtet të bekuara. Të bukura, të pasura dhe mbresëlënëse janë trevat shqiptare.

Për të porositur, ju lutem dërgoni një email në: trevatshqiptare@gmail.com
Cmimi:
15 USD + postimi
13 Euro + postimi